Video

Stadiumi kombëtar shndërrohet në “luftë politike”, VV-LDK e kthejnë në Bërnicë

Projekti për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës është ende vetëm në letër.

Por, për vendin se ku do të duhej të ndërtohet, ka kohë që është nisur një “luftë” politike, raporton KTV.

I fundit që e ka ngritur sërish si çështje ndërtimin e stadiumit kombëtar, është deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Anëtari i kësaj partie ka thënë se projekti për ndërtimin e stadiumit kombëtar do të tërhiqet nga Drenasi, për t’u ndërtuar në Bërnicë të Prishtinës.

Ai ka thënë se gjatë bisedimeve për koalicionin qeverisës me fituesit e zgjedhjeve të fundit, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë rënë dakord që stadium të ndërtohet në Bërnicë.

Se do të zhvendoset atje, e kishte paralajmëruar në hapje të fushatës edhe kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani.

Edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, që është pjesë e negociatave, nëpërmjet një mesazhi të shkurtër për KTV-në, ka thënë se ende asgjë nuk ka konkrete, megjithëse nuk ka mohuar se tashmë kjo çështje është diskutuar mes palëve, por pa vendim konkret.

“Asgjë nuk është dakorduar, derisa gjithçka të jetë dakorduar”, ka thënë Bislimi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nëpërmjet një komunikate për media, MKRS-ja ka thënë se në Bërnicë kanë hasur në probleme pronësore, kurse në Drenas lokacioni është më i favorshëm për shumë arsye. Ndër to janë gatishmëria që ka shprehur Komuna e Drenasit, afërsia me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos atyre që pa asnjë analizë flasin për ndërrim të lokacionit, se MKRS-ja tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat, ka marrë vendim në qeveri për ndërtimin e stadiumit, ka bërë fizibilitetin e lokacionit, ka bërë shpimet e tokës dhe ka finalizuar projektin për stadiumin kombëtar të Kosovës”, ka thënë MKRS.

E gjithë kjo përplasje për stadiumin kombëtar ka nisur në vitin 2014, me një vendim nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, për lokacion të tij.

Tashmë është prezantuar edhe projekti se si do të dukej stadiumi dhe që studimi i tillë ka kushtuar 1 milion euro, por enigmë mbetet ajo se me çfarë fondesh do të mund të ndërtohet.

Për Federatën e Futbollit të Kosovës, rëndësi ka vetëm ndërtimi i stadiumit, pasi Kosova aktualisht e ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri”, që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të ekipit A kombëtar.

Kërkesa për ta parë Kosovën në ndeshjet e saj ka qenë shumë më e madhe sesa që e ka kapacitetin ky stadium.