KOMF-i, i shqetësuar për shëndetin e fëmijëve nga ndotja e ambientit

18 November 2019 19:35

Në dy muajt e fundit, cilësia e ajrit në vendin tonë, e sidomos në kryeqytet, shumë herë ka tejkaluar parametrat e normales.

E fëmijët janë ata të cilët po pësojnë më së shumti nga ambienti i ndotur në të cilin jetojnë, raporton KTV.

Ekspertët kosovarë, në 30-vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, kanë ngritur alarmin se ndotja e ajrit sjell pasoja afatgjate në shëndetin e fëmijëve.

Në një konferencë për media, organizata “KOMF”, ka thënë se studimet e fundit tregojnë që personat të cilët kanë qenë të ekspozuar gjatë fëmijërisë së tyre në ajër të ndotur, kanë prirje për të pasur ngecje në zhvillimin fizik dhe psikologjik gjatë jetës së tyre.

Ndërsa, thonë se shteti i Kosovës nuk ka asnjë plan për të parandaluar ndotjen e ajrit.

Vlorian Molliqaj, Drejtor ekzekutiv në KOMF, thekson se shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit janë mënyra e ngrohjes, prodhimi i energjisë dhe lirimi i gazrave nga mjetet e transportit.

Për këtë, sipas kësaj organizate nuk ka pasur ndonjë aktivitet konkret që do t’i kontribuonte përmirësimit të ajrit.

KOMF-i ka rekomanduar institucionet përgjegjëse të zhvillojnë politika dhe strategji kombëtare dhe të ndajnë buxhet të mjaftueshëm për të parandaluar ndotjen e ajrit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme