“Çohu”, kritika për mosngritjen e aktakuzave për korrupsion të nivelit të lartë

18 November 2019 19:29

Shkalla e ulët e luftimit të korrupsionit në nivel të lartë, bartja e lëndëve nga viti në vit dhe parashkrimi i 58 lëndëve vetëm brenda vitit të fundit janë vetëm disa nga gjetjet e Organizatës “Çohu”.

Gjatë një viti të monitorimit të gjykatave në tërë vendin, kjo organizatë ka arritur të identifikojë vetëm 17 raste të korrupsionit të profilit të lartë, raporton KTV.

Gjatë prezantimit të raportit “Qasja në drejtësi”, u tha se në të gjitha këto raste të nivelit të lartë ka pasur dënime të ulëta, hedhje poshtë të aktakuzave dhe lirim të zyrtarëve të lartë.

“Besoj se funksionimi adekuat i Gjyqësorit është një nga parakushtet për sundim të ligjit. Kjo duhet të shkojë në hap me politikën, sepse duhet të ketë ndarje të pushteteve dhe të jetë gjyqësor i pavarur”, ka thënë Gerrie Willems - Ambasadore e Holandës.

Për çështjen e mosndëshkimit të korrupsionit të nivelit të lartë u fol edhe në një tryezë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Aty u tha se Prokuroria Speciale edhe këtë vit ka vazhduar me trendin e ikjes të marrjes së përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Kjo pasi, sipas tyre, nga 1 janari 2019 e deri më 30 shtator 2019 nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive.

Ndërsa, hulumtuesi i IKD-së, Gëzim Shala, prezantoi gjetjet e raportit “Politika e dënimeve në Kosovë”.

Ndërkohë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan shprehën mbështetjen e tyre të plotë për gjykatësit dhe prokurorët për të aplikuar Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore në mënyrë efikase.

Ata ftuan të gjithë aktorët e institucioneve të drejtësisë që të bashkëpunojnë për luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme