Artistë të rinj shqiptarë e serbë, hapin festivalin e muraleve në urën e Ibrit

17 November 2019 19:20

Ura e cila i ndan në dysh, kësaj radhe i ka bërë bashkë shqiptarët e serbët.

Artistë nga të dyja komunitetet kanë vendosur që ta ndryshojnë pamjen e kësaj ure, duke e ngjyrosur atë.

E gjithë kjo, në kuadër të edicionit të dytë të festivalit të muraleve “Nomad”, bashkorganizim i organizatës joqeveritare “Futja Ngjyrë” nga jugu dhe organizatës “Link” nga veriu i Mitrovicës, raporton KTV.

Drejtori i OJQ-së ‘Futja ngjyrë’, Bardhyl Dobroshi, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti është që t’i ndryshohet pamja qytetit.

Ndërsa, Millan Dobriq, nga organizata “Link”, shpreson që sa më shumë të rinj të përfshihen në këtë aktivitete, në mënyrë që për pak kohë të harrohen problemet që ndërlidhen me politikën.

“Qëllimi ishte që të përfshihen sa më shumë njerëz të rinj e kreativë dhe që së paku për pak të harrojnë problemet që na rrethojnë dhe politikën. Siç e shihni, në këto mure ka gjithçka, shkruan gjithçka andaj vendosëm që ta bëjmë edhe më atraktiv. S’ka aspak rëndësi nëse jemi serbë apo shqiptarë, për ne është me rëndësi të zbukurojmë qytetin së paku për disa vjet”, ka thënë Dobriqi.

Ky projekt është financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe Drejtoria e Kulturës në Mitrovicë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme