Rinumërohen mbi 30% të vendvotimeve, duhet ende kohë për përfundim

17 November 2019 19:09

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është duke vazhduar rinumërimi i mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve.

Ky rinumërim është duke u bërë pas miratimit të ankesave të kandidatëve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, raporton KTV.

Deri më tani janë rinumëruar mbi 30 për qind e vendvotimeve.

Megjithëse gjendja në QNR dukej stabile, zyrtarë të Nismës, prapa kamerës, i kanë thënë KTV-së se janë duke u përballur me provokime të vazhdueshme.

Madje, provokimet nga vëzhgues të Vetëvendosjes, sipas tyre, kanë bërë që një ditë më parë të largohet nga qendra një zyrtar i tyre.

“Ka provokime të vazhdueshme në mënyrë të organizuar nga vëzhguesit e VV-së dhe nga stafi ditor i QNR-së. Ka rënë pre e provokimeve të anëtarëve të Vetëvendosjes dhe për këtë është larguar”, deklaruan zyrtarë të Nismës në QNR.

Provokimet e tilla, sipas zyrtarëve të Nismës, janë raportuar te koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj.

Në bazë të dinamikës, procesi i rinumërimit të 1 mijë e 428 vendvotimeve pritet të përfundojë brenda dy javësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme