Vdes regjisorja Arzana Kraja, komuniteti artistik në zi

13 November 2019 19:50

Këtë të mërkurë është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj, regjisorja Arzana Kraja.

38-vjeçarja është dërguar edhe në qendrën emergjente, ku vetëm është konstatuar vdekja e saj, ka bërë të ditur Policia.

“Me datën 13.11.2019, rreth orës 09:08, Policia ka pranuar një informatë për një trup të pajetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton KTV.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes, derisa kanë filluar edhe hetime nga organet kompetente.

Ajo ka realizuar disa projekte, ndër to më i njohuri filmi “Fusha e mëllenjave”, premiera e të cilit u dha gjatë këtij viti.

Pikëllim për humbjen e regjisores kanë shfaqur shumë kolegë të saj. Qendra Kinematografike e Kosovës, në faqen e saj, thotë se janë shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve!”, thuhet në reagim.

Familjen Kraja e ka ngushëlluar edhe ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi. Ai ka thënë që Arzana Kraja, me punën e saj, i ka dhënë një dimension tjetër artit në Kosovë.

“Zelli me të cilin Arzana është angazhuar dhe kontributi që ajo ka dhënë në fushën e kinematografisë, e ka sjellë artin e Kosovës në një dimension tjetër. Me kontributin e saj, Arzana e ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre në botën e artit e të kulturës”, thuhet në ngushëllimin e ministrit Gashi.

Familjen Kraja e kanë ngushëlluar edhe udhëheqës të tjerë të shtetit, duke e vlerësuar lart edhe punën e regjisores.

Arzana Kraja do të varroset të enjten, në varrezat e qytetit, në orën 14.00, kanë njoftuar familjarët e saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme