Rrëzimi i Murit të Berlinit nisi revolucionin në Evropë

09 November 2019 22:40

Ngjarjet botërore kalojnë me shpejtësi, por është fort e vështirë të matet shpejtësia dhe fuqia e ndryshimeve të vitit 1989. Çdo gjë gufoi në një prej skenave më të famshme në historinë e njerëzimit, rënien e Murit të Berlinit.

Muri u rrëzua pjesërisht për shkak të një aksidenti burokratik, por ndodhi në periudhën e një vale të revolucionit që la mes dy zjarresh bllokun komunist të prirë nga sovjetikët. Ata mbetën mes kolapsit apo ndihmës për të definuar një rend të ri botëror, raporton KTV.

Ishte 9 nëntori i vitit 1989, pesë ditë pasi nja gjysmë milioni njerëz u bënë bashkë në Berlinin Lindor në një protestë që shtyu në rrënimin e Murit të Berlinit, që e ndante Gjermaninë komuniste të Lindjes nga pjesa e Perëndimit.

Liderët e lindjes tentuan të qetësonin protestën duke hapur kufijtë me procedurat e lehtësuara, ama nuk e kishin ndërmend ta hapnin kufirin në tërësi. Ndryshimet do të ishin krejt të vogla, por mënyra sesi u përçuan te populli, pati pasoja të mëdha.

Njoftimi për rregullat e reja i ishte dorëzuar zëdhënësit Gunter Schabowski. Ai nuk e lexoi njoftimin para konferencës së rregullt për media. Kur e lexoi me zë për herë të parë, gazetarët u rrëqethen.

“Udhëtimi privat jashtë shtetit tani mund të bëhet duke aplikuar pa parakushte”, kishte thënë zëdhënësi që i shtyu gazetarët të pyesnin për më shumë detaje rreth këtij vendimi. Teksa shfletonte dokumentet, Schabowski kishte thënë se për aq sa ishte i njoftuar, vendimi kishte efekt të menjëhershëm.

Në fakt, vendimi do të hynte në fuqi të nesërmen dhe përmbante detaje për aplikim të vizës. Mirëpo, lajmi mori dhenë, dhe gjermanët e lindjes vërshuan kufirin me rreshtin që nuk kishte përfundim.

Harald Jäger, rojë kufitare në ditën e njoftimit, në vitin 2009 në një rrëfim për gazetën “Der Spiegel” kishte thënë se i hutuar kishte ndjekur konferencën për media, ndërsa mbeti i shtangur nga turma e madhe e njerëzve.

Jäger menjëherë thirri shefat, por nuk i dhanë urdhër për të hapur portën as për të shtënë në drejtim të turmës. Me vetëm nja dy-tre roja përballë qindra qytetarëve të inatosur, forca nuk do të përdorej fare.

“Pa shtënë fare, njerëzit kanë mundur të lëndohen ose vriten nëpër tela ose sikur të shkaktohej panik gjatë kalimit të kufirit”, kishte thënë ai për “Der Spiegel”. “Për këtë shkak njerëzve të mi u thashë: Hapeni portën”, shton ai.

Mijëra njerëz kaluan kufirin në festë e në lot. E shumë të tjerë me çekanë dhe kazmë në duar, u ngjitën në murin e portës Bradenburg në Berlin. Këto skena do të qarkullonin nëpër krejt botën. Kështu, një viti të turbullt i ishte mbushur kupa.

Gjermania e mposhtur ishte ndarë nga fuqitë pushtuese: SHBA-ja, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. Lindja u takonte sovjetikëve. Gjermania Lindore, që zyrtarisht njihej si Republika Demokratike e Gjermanisë, u bë terren i sovjetikëve në Evropën Perëndimore.

Muri ishte ndërtuar në vitin 1961 pasi Berlini Lindor po detyronte ikjen e njerëzve në Perëndim. Kah vitet ‘80, Bashkimi Sovjetik përjetoi probleme të rënda ekonomike dhe shpërthimi i reaktorit bërthamor në Chernobyl në prillin e vitit 1986, krijoi një moment simbolik në rënien e pritur të bllokut komunist.

Lëvizjet reformuese tashmë ishin shtrirë në bllokun komunist. Pas disa vjet grevash në Poloni, çdo gjë kulmoi kur partia komuniste votoi për legalizimin e Sindikatës Tregtare të njohur me emrin “Solidariteti”.

Fryma e ndryshimeve u ndje edhe në Hungari. Populli hungarez u çua në këmbë duke nxitur demonstratat masive për demokraci në muajin mars të vitit 1989. Në maj, 240 kilometra tel me gjemba u hoq përgjatë kufirit me Austrinë.

Më 9 tetor, pak ditë para se Gjermania Lindore të festonte 40 vjetorin e themelimit, 70 mijë njerëz dolën në rrugë me thirrjet për liri. Ana tjetër gjermane i bënte thirrje për zgjedhje të lira dhe reforma liderit të ri komunist, Egon Krenz. Ama, askush nuk e dinte se pak javë më vonë do të ndodhte shembja e Murit të Berlinit.

Në fund të muajit tetor, Parlamenti në Hungari, mundësoi zgjedhje presidenciale dhe ato parlamentare. Më 31 tetor, njerëzit që kërkonin demokraci në Gjermaninë Lindore arritën në gjysmë milioni. Lideri komunist, Krenz, shkoi për takime në Moskë. Rusët e siguruan se ribashkimi i Gjermanisë nuk ishte në agjendë, por doli e kundërta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme