Video

Samiti i Paqes, Thaçi: Dialogu nuk ka alternativë, Kurti thotë se Serbia duhet të ndryshojë

Paqja e përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentit Hashim Thaçi, nënkupton edhe paqe afatgjate për Ballkanin Perëndimor.

Në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore, Thaçi ka theksuar se dialogu nuk ka alternativë, raporton KTV.

Pavarësisht hamendjeve të Bashkimit Evropian, nuk ka tjetër fat politik për rajonin.

Ndër të ftuarit e samitit ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku pas fjalimit të tij ka shpalosur qëndrimet për të ardhmen e dialogut me Serbinë.

Për rifillimin e këtij procesi, Kurti ka përmendur pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa ka paralajmëruar se taksa do të zëvendësohet me masa të reciprocitetit.

Pas takimit të së premtes me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kurti ka thënë se Shqipëria është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përndryshe, ndër folësit e këtij samiti ka qenë edhe diplomati Christopher Hill, i cili ka shprehur edhe një herë zhgënjimin amerikan për vendimin e BE-së për shtyrje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.