KQZ-ja s’ka përgjigje për 450 fletëvotime të humbura në Runik, çon në rinumërim katër vendvotime

25 October 2019 19:13

Ndonëse janë bërë tri javë që nga dita e zgjedhjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur me 450 fletëvotime të paplotësuara, të cilat janë zhdukur nga një vendvotim në Runik të Skenderajt.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, kërkoi nga KQZ-ja që ta përkrahë propozimin e tij që rezultatet nga ky vendvotim të mos merren parasysh, raporton KTV.

Aty kanë votuar rreth 300 persona.

Megjithatë, anëtarët e komisionit kërkuan të gjendet zgjidhje tjetër, në mënyrë që votat nga ky vendvotim të mos hidhen poshtë.

Në anën tjetër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ngriti dyshimin edhe për votat e tjera nga ky vendvotim.

Ndonëse pa ndonjë vendimmarrje të qartë, Komisioni Qendror Zgjedhor do të presë rekomandim nga Zyra Ligjore për këtë rast.

Në mbledhjen e KQZ-së, u miratua edhe propozimi i QNR-së për rinumërimin e tre vendvotimeve, dy në Podujevë dhe një në Prizren, si dhe për rinumërimin e një vendvotimi shtesë, pas përfundimit të shqyrtimit paraprak.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme