Video

Turqia kërcënon me sulme të reja, kurdët nuk kanë nga t’ia mbajnë

Situata në veri të Sirisë që u qetësua pas marrëveshjes që Turqia e siguroi me Shtetet e Bashkuara, mund të përkeqësohet pasi armëpushimi pesë ditësh përfundoi të martën.

Kësaj marrëveshjeje SHBA-ja i referohej si “armëpushim”, ndërsa Turqia e quajti “pauzë” planin për dëbimin e kurdëve nga veriu i Sirisë, me qëllim që ushtria turke të krijonte zonën e sigurisë për kthimin e refugjatëve sirianë nga Turqia.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se në rast se premtimet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë për vendin e tij nuk mbahen, këtë herë operacionin "Burimi i Paqes" do ta vazhdojnë me një vendosmëri më të madhe.

Presidenti turk ka njoftuar deri më tani është pushtuar një sipërfaqe prej 2.200 kilometrave katrorë si dhe janë marrë nën kontroll 160 vendbanime. Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga siç i quan, terroristë luftëtarët kurdë dhe dega e saj siriane, YPG.

Në vitet e fundit, kurdët ndihmuan në betejën kundër terroristëve të ISIS-it dhe deri më tani, janë vrarë 11 mijë kurdë në këtë fushatë kundër këtij grupi terrorist.

Por nga sulmet turke po vuajnë kurdët që nuk kanë nga t’ia mbajnë. Një pjesë e tyre po flenë në qiell të hapur para kufirit me Irakun, me qëllim që të zhvendosen në këtë shtet për t’u ikur sulmeve ajrore të Turqisë. E shumë të tjerë janë vrarë nga sulmet e befasishme ajrore.

Në mesin e viktimave kurde është edhe politikania Hevrin Khalaf. Vrasjen e saj po e vuan më së rëndi, nëna Suadja.

“Shpesh i them vetes se do ta djeg këtë shtëpi, sepse gjërat e vajzës janë kudo në dhomë dhe është e vështirë për syrin e nënës. Kur doli për herë të fundit nga shtëpia e përqafova dhe i mora erë. I thashë se më pëlqen era e saj. Tani krejt jetën e saj, që prej lindjes e deri në ditën e fundit, e shoh me sy e zemër”, thotë Khalaf, transmeton KTV.

Së fundmi presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se disa trupa të ushtrisë amerikane do të qëndrojnë në Siri, edhe pse vendosi që t’i tërhiqte ata nga veriu i këtij shteti.

Presidenti amerikan ka deklaruar se një numër i ushtarëve do të qëndrojnë në Siri për t’i mbrojtur fushat e naftës, ndërsa të tjerët do të transferohen në afërsi të Izraelit dhe Jordanisë.

Para dy javësh, Trumpi vendosi që t’i tërhiqte trupat ushtarake nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë. Për këtë vendim u kritikua për shkak se i mundësoi Turqisë intervenimin ndaj kurdëve në veri.