Video

Avokati thotë se MD-ja e ka raportin nga Zvicra për vdekjen e Deharit, por po e mban të fshehur

Ka kaluar gati një vit e gjysmë që kur Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës kishte pranuar t’i hetonte rrethanat e vdekjes në burg të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, thotë se ky institut e ka njoftuar atë se përpilimi i raportit me rezultatet e autopsisë ka përfunduar, dhe se i njëjti i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë në fillim të këtij muaji, raporton KTV.

Gashi thotë se ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, për arsye politike, nuk po ia dorëzon raportin familjes.

Gashi thekson se më 10 tetor, ka kërkuar që ministri t’ia dërgojë këtë raport, por thotë se nuk ka marrë përgjigje.

Kohavisioni ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje, derisa as ministri në detyrë, Abelard Tahiri nuk iu është përgjigjur thirrjeve telefonike të televizionit.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Shtetit ka njoftuar, përmes një komunikate për media, se nuk e ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në momentin e lëshimit të kësaj komunikate, nuk e ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari nga Instituti i Lozanës në Zvicër. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, në momentin që ky raport të mbërrijë përmes ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe i njëjti të pranohet në Prokurorinë e Shtetit, menjëherë do të njoftohet opinioni publik”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

Për raportin, televizioni e ka pyetur edhe institutin zviceran, por zyrtarë të tij kanë thënë se nuk iu lejohet të japin detaje për këtë rast.

Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, nën dyshimin se bashkë me aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes e sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë kishte vlerësuar se Dehari kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit, të cilët më pas kërkuan hetim ndërkombëtar.