Video

KMDLNJ: Zgjedhjet, shembull për rajonin

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i ka vlerësuar zgjedhjet e mbajtura të dielën, duke i quajtur shembull për rajonin.

Me anë të një deklarate, KMDLNJ-ja zgjedhjet e 6 tetorit i konsideron si mirë të organizuara, të monitoruara shumë mirë dhe, ndonëse ishe një kohë e shkurtër për organizimin e tyre, si zgjedhjet më të mira, e me theks të veçantë e konsideron pozitive pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në këto votime, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, raporton TV Arta.

KMDLNj-ja vlerëson si shumë pozitiv faktin që partitë jofituese nuk e kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve, gjë që e krijon një situatë më të lehtë për formimin e institucioneve të reja. KMDLNj-ja pret dhe thërret që sa më parë të formohen institucionet e reja, në mënyrë që të mos lejohet stërzgjatja e një vakuumi institucional.

KMLDNj-ja gjithashtu, pret që të ulet retorika tensionuese për faktin se kanë përfunduar zgjedhjet dhe tensionimi i panevojshëm i situatës ndikon në funksionalizimin e institucioneve të reja, efektivitetin e punës dhe të proceseve demokratike.

KMDLNj-ja pret që institucionet e reja t’i kushtojnë vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut, pa bërë dallime në baza etnike, moshore, gjinore, bindje politike dhe status shoqëror.