68 të lënduar dhe 88 shtëpi e 7 ndërtesa të dëmtuara nga tërmetet e sotshme në Shqipëri

21 September 2019 23:38

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur Shqipërinë pasditen e sotme. Tërmeti me epiqendër në Detin Adriatik vetëm pak kilometra nga qyteti i Durrës ishte i një magnitudë 5.8 të shkallës Richter dhe intensitet prej 7.5 ballësh.

Lëkundjet u ndjenë në disa qytete, ku qytetarët kanë dalë menjëherë nga shtëpitë e tyre të frikësuar, duke qëndruar për një kohë të gjatë në rrugë, raporton KTV.

Goditja e parë e tërmetit u pasua dhe nga dy të tjera me intensitetit më të ulët.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se në Tiranë dhe Durrës kanë marrë ndihmë mjekësore 68 qytetarë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar qytetin e Durrësit ku u njoftua për pasojat që shkaktoi tërmeti.

Presidenti Meta u bëri thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë.

Ndërsa kreu i qytetit të Durrësit, Roland Nasto, duke folur pas takimit që pati me presidentin, Ilir Meta tha se shtabi i emergjencës është në gjendje gatishmërie dhe në koordinim mes tri bashkive, Shijak, Durrës dhe Krujë.

Ai ka thënë se sipas të dhënave të para ka dëmtime të vogla.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka siguruar qytetarët se institucionet po bëjnë gjithçka për të përballuar situatën.

Ajo ka thënë se në rrethin e Tiranës, janë dëmtuar 46 shtëpi dhe tri ndërtesa. Ndërsa në rrethin e Durrësit, 4 ndërtesa dhe 42 shtëpi që janë kryesisht të vjetra.

Xhaçka ka thënë se kanë marrë masa dhe se janë gati për çdo emergjencë.

Raportohet se ky ishte tërmeti më i fortë i regjistruar në 20 deri në 30 vjetët e fundit në Shqipëri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme