Video

Në rigjykim, Sekiraça u dënua me 30 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës

Me 30 vjet burgim është dënuar këtë të hënë Enver Sekiraça, për shtytje në vrasje të rëndë, të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

12 vjet pas kësaj vrasjeje, Sekiraça për herë të dytë është shpallur fajtor për këtë vepër penale, raporton KTV.

Në këtë gjykim nuk ka qenë i pranishëm vet i dënuari Sekiraça që është në paraburgim dhe kjo masë i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndërsa, pas shpalljes së vendimit nuk ka dashur të flasë babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.

Sekiraça akuzohej se kishte nxitur Arben Berishën dhe tre persona tjerë që për arsye personale dhe të hakmarrjes, të vrasin Triumf Rizën më 30 gusht të 2007-s.

Sipas Gjykatës, ai ishte vrarë derisa po dilte nga një lokal në qendër të Prishtinës, duke u qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumfi Rizës deri më tani janë dënuar Arben Berisha me 35 vjet, Fitim Avdiu me 10 vjet burgim dhe Rrahim Avdullahu me 5 vjet burgim derisa Ilir Avdullahu ndodhet në arrati.

Për akuzat për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, Sekiraça 3 vjet më parë nga një trup gjykues tjetër ishte dënuar me 37 vjet burgim, por që aktgjykimi ishte prishur dhe rasti ishte kthyer në rigjykim.

Palët përsëri kanë të drejtë ankese në Gjykatë të Apelit.