18-vjet pas sulmit terrorist, SHBA-ja ende vuan nga pasojat

11 September 2019 19:17

18 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara do ta nisnin më së rëndi ditën e martë të 11 shtatorit, me një seri prej katër sulmeve të koordinuara terroriste të Al-Qaedas.

Në sulmet e 11 Shtatorit të vitit 2001, u vranë 2 mijë e 996 persona dhe u plagosën më shumë se 6 mijë të tjerë.

Katër sulmet, dy mbi Kullat Binjake të Qendrës Tregtare, një në Pentagon e një në Shanksville të Pensilvanisë, do të shkaktonin dëme në vlerë 10 miliardë dollarë.

Për 1 orë e 42 minuta u bënë rrafsh me tokë dy kullat 110 katëshe, ndërsa zjarri dhe materialet tjera të ngurta dëmtuan dhjetë ndërtesa përreth Qendrës Tregtare.

E disa vjet pas sulmeve terroriste, qindra persona vdiqën dhe vazhdojnë të vdesin nga kanceri dhe sëmundjet e frymëmarrjes që u shkaktuan nga pluhuri i madh i 11 Shtatorit.

Sulmet e 11 Shtatorit janë më vdekjeprurëset në histori të njerëzimit dhe mbetet incidenti i vetëm në të cilin u vranë zjarrfikës e policë gjatë detyrës. 343 zjarrfikës dhe 72 policë mbetën të vrarë nga këto sulme.

18 vjet pas, familjarët dhe të afërm tjerë, si për çdo përvjetor, janë mbledhur në Memorialin e 11 Shtatorit në New York për të përmendur me radhë emrat e 2 mijë e 996 viktimave, në mesin e tyre edhe tre shqiptarë, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.

Sulmet e 11 Shtatorit shtyn Amerikën që të kundërpërgjigjej me luftën ndaj terrorit duke pushtuar Afganistanin, pasi në vitin 2004, Bin Ladeni me grupin e tij terrorist mori përgjegjësinë për sulmet dhe përmendën lidhjet e SHBA-së me Izraelin, praninë ushtarake të SHBA-së në Arabinë Saudite, si motive të sulmit terrorist.

Pas disa vjetësh kërkim, SHBA-ja ekzekutoi Bin Ladenin në vitin 2011, teksa po fshihej në Pakistan.

18-vjet pas pushtimit, lufta në Afganistan ende nuk ka marrë fund. SHBA-ja dhe talebanët kanë dështuar të arrijnë marrëveshjen e paqes. Në fillim të muajit shtator, presidenti kundërthënës, Donald Trump, anuloi takimin e paqes kur talebanët morën përgjegjësinë për vrasjen e një ushtari amerikan.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme