Tkurret përfaqësimi i shqiptarëve në Medvegjë, kërkohet ndërhyrja e Kosovës dhe Shqipërisë

09 September 2019 19:27

Nga tetë asamblistë shqiptarë sa kishte Kuvendi Komunal i Medvegjës, tash e tutje do t’i ketë vetëm tre.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën, tregojnë se koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” ka fituar dy ulëse, derisa Partia për Veprim Demokratik një ulëse në asamblenë komunale, raporton KTV.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është SNS, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me 61.89 të votave, e cila ka udhëhequr edhe mandatin e kaluar me këtë komunë.

Artan Murati me prejardhje nga Medvegja, tregon se e gjithë familja e tij, e cila tash e sa vjet banon në Fushë Kosovë shfrytëzoi të drejtën e votës të dielën.

Por, pavarësisht mobilizimit, shumë shqiptarëve iu mohua e drejta për të votuar, meqë emrat e tyre u fshinë nga regjistrat civilë.

Murati thotë se është koha që Kosova dhe Shqipëria të merren seriozisht me Medvegjën, e të mos e shfrytëzojnë vetëm për pikë politike.

Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë se 4 mijë votues.

Sipas rezultateve preliminare, koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” i udhëhequr nga Muharrem Salihu ka fituar 392 vota apo 9.19%, ndërsa Partia për Veprim Demokratik 278 vota apo 6.51%.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme