KQZ-ja certifikon grupin e parë të subjekteve politike për zgjedhjet, shorti më 17 shtator

09 September 2019 19:08

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar shumicën e aplikimeve për certifikim të subjekteve politike, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Të gjitha njëzetenjë aplikacionet e para të shqyrtuara janë miratuar në mbledhjen e së hënës së KQZ-së, ndërsa edhe katër aplikacione të tjera pritet të shqyrtohen deri të martën.

Nga njëzetenjë subjektet e certifikuara deri tani tetëmbëdhjetë janë parti politike, dy janë koalicione, dhe një kandidat i pavarur. Ndërsa, numri i kandidatëve për deputetë të certifikuar, deri tani, është gjashtëqind e tetëdhjetepesë (685).

Në këtë grup bëjnë pjesë partitë parlamentare: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe si dhe koalicioni Nisma-AKR-PD.

Sipas zyrtarëve të KQZ-së, për shkak të numrit të madh të kandidatëve, për shqyrtim deri të martën kanë mbetur aplikacionet e partive tjera të mëdha: LDK, PDK dhe koalicionit AAK-PSD.

Ndërkohë, një ditë para mbylljes së afatit për aplikim për regjistrim si votues jashtë Kosovës, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar më shumë se pesëmbëdhjetë mijë persona.

KQZ-ja ka inkurajuar diasporën që të aplikojë për regjistrim dhe të shfrytëzojë të drejtën për të votuar përmes postës nga 18 shtatori deri më 4 tetor.

Në listën preliminare të votuesve për zgjedhjet e 6 tetorit janë të regjistruar më shumë se një milion e nëntëqind e shtatëdhjetedy mijë persona (1 972 466), shifër kjo që është më e madhe sesa numri i banorëve të Kosovës, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme