Video

Kush e solli taksën? Përplasjet mes Hoxhajt e Lekajt

Në prag të zgjedhjeve nacionale, drejtuesit e dy partive të koalicionit PDK -AAK, përsëri janë përplasur në mes vete, në tentativë për t’i marrë meritat për njërën ndër vendimet më të mëdha të qeverisë Haradinaj, atë për taksën ndaj produkteve serbe.

Ishte fillimisht zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili përmes një statusi në Facebook, edhe njëherë theksoi se propozimi për taksën erdhi nga kabineti i tij, raporton KTV.

“Politika për mua është sa betejë për ide kreative në situata komplekse, po aq edhe vendimmarrje shtetërore në mbrojtje të ekzistencës tonë! Në çdo pozitë që kam pasur në Qeveri, së pari i kam vënë para vetes interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, pastaj ato të partisë së cilës krenohem që i takoj, PDK-së. Gjatë verës së 2018-s, në kabinetin tim janë përpunuar dy propozime: ai për taksën dhe për masa reciproke ndaj shtetit serb”, ka shkruar Hoxhaj.

Por, Pal Lekaj, ministri në dorëheqje i Infrastrukturës, që vjen nga radhët e AAK-së, nuk pajtohet me një konstatim të tillë.

Lekaj është përkujdesur t’i përmendë të arriturat e qeverisë Haradinaj, derisa ka thënë se vetëm këmbëngulësia e këtij të fundit ka bërë që taksa të mbetet në fuqi, ngase për të tjerët ajo kaherë do të kishte marrë fund.

Por, mospajtimet nuk kanë bërë që AAK-ja të ketë vija të kuqe për asnjë parti, ka thënë Lekaj.

Derisa ka theksuar se AAK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.