Ministria mbyllet për testimin e noterëve, shoqëria civile thotë se procesi është jolegjitim

16 August 2019 19:04

Ndonëse ishin vërejtur shumë parregullsi në përzgjedhjen e noterëve, Ministria e Drejtësisë ka vazhduar me procesin.

Të enjten ka publikuar një njoftim për kandidatët.

Sipas këtij njoftimi, gjatë se shtunës dhe së dielës, 168 kandidatë do t’i nënshtrohen intervistimit për të fituar një pozitë si noter.

“Në bazë të nenit 10 paragrafi 2 të Ligjit për Noterinë, Ministria e Drejtësisë i njofton Kandidatët të cilët kanë aplikuar për t’u emëruar noter, se intervista do të mbahet më datë 17 dhe 18 Gusht 2019 me fillim në orën 09:00 në amfiteatrin e Ministrisë Drejtësisë”, thuhet në njoftim.

E në IKD, vlerësojnë se ky proces duhet të ndërpritet, për shkak se Ministria e Drejtësisë nuk ka legjitimitet ta udhëheqë atë, marrë parasysh dorëheqjen e Qeverisë.

Më tutje, Gzim Shala ka shtuar se që nga fillimi i përzgjedhjes së noterëve, ka pasur edhe mungesë transparence nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë sqarime as rreth përbërjes së Komisionit përzgjedhës.

KTV-ja kishte raportuar se në fazën e parë të rekrutimit, shumë anëtarë të Komisionit kishin qenë në konflikt interesi

Gjithashtu, në këtë fazë, televizioni dhe Koha Ditore kishin raportuar se shumë nga të përzgjedhurit, pastaj kishin lidhje familjare, politike e miqësore me anëtarët e komisionit dhe partinë politike që udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme