Shablloni i Ministrisë së Hoxhës që zemëroi ambasadorin O’Connell

14 August 2019 19:06

Fjalë që nuk i kishte thënë e tema që nuk i kishin diskutuar fare, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, i hasi në një komunikatë ku flitej për takimin e tij me ministren Dhurata Hoxha.

Megjithëse doli se kjo nuk ishte hera e parë që kjo gjë i ndodh me politikanë kosovarë, O’Connell, këtë herë nuk e la pa përgënjeshtruar Ministrinë, raporton KTV.

Në paragrafin e katërt të komunikatës të lëshuar nga Ministria, thuhet se ambasadori kishte vlerësuar punën e institucioneve, duke përmendur këtu MSA-në, reformat në sundim të ligjit e deri edhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Në Facebook, ambasadori në largim ka treguar se çka realisht ka ndodhur në takim.

“Në fakt, nuk dhashë ndonjë mendim për implementimin e MSA-së nga Kosova. As që e diskutuam. Nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Diskutuam për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Thashë që Kosova është një moment vendimtar dhe duhet të marrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Nuk dhashë ndonjë vlerësim për punën e institucioneve”, tha O’Connell.

Një veprim të tillë, O’Connell, e ka konsideruar joprofesional dhe jomiqësor.

Ambasadori ka shtuar se nuk ishte marrë pëlqimi i Ambasadës për komunikatën për media dhe se në të ardhmen, do të korrigjojnë çdo deklaratë të lëshuar pa lejen e tyre.

Ministria e Hoxhës, pak kohë pas reagimit të ambasadorit O’Connell, në sqarimin e saj u arsyetua se komunikata ka qenë një shabllon që ishte përdorur më herët, kishte lëshime dhe që nuk ishte e konfirmuar nga Ambasada.

Vetëm pak ditë më parë, O’Connell pati kritika të tjera për ministren Hoxha, pas raportimit të KTV-së për konkursin që ishte hapur në këtë ministri, duke lënë anash bursistë nga skema Young Cell.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme