Konjufca thotë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë është dashur të sillej në Kuvend gjatë qershorit

12 July 2019 19:35

Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë krijuar kushtet objektive që të ndodhë një mocion brenda Kuvendit të Kosovës, për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, ka kritikuar edhe drejtuesit e Partisë Socialdemokrate, të cilët kanë thënë se nuk duan ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe, raporton KTV.

“Shpend Ahmetit duhet t’i bëhet një pyetje, pse është rrëzuar Isa Mustafa me votat e Listës Serbe, e Haradinaj jo. Mendoj që Shpend Ahmeti nuk e ka zorin te votat e Listës Serbe, por te rezultatet e sondazheve”, u shpreh Konjufca.

Konjufca, në një konferencë për medie, deklaroi se qeveria duhet ta shkëpusë kontratën me Z-Mobile dhe të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme në Telekom.

Ai tha se, edhe pse ka kaluar një vit që prej miratimit të rezolutës së iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për Telekomin e Kosovës, asnjë pikë e saj nuk është miratuar.

Kjo rezolutë, sipas Konjufcës, u iniciua me qëllim që t’ia bëjë me dije Qeverisë masat që duhen ndërmarrë në lidhje me çështjen e Telekomit.

Ai gjithashtu tha se nga Telekomi ka fituar gjithkush, përveç Kosovës dhe se secila qeveri, si plan kryesor ka pasur ngritjen e punësimit të militantëve partiakë e jo të Telekomit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme