Bota kujton 24 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, atje rivarrosen 33 viktima

11 July 2019 19:15

Një varrmihës në punë, që hapi varret për 33 njerëz të tjerë të vrarë nga serbët e Bosnjës, 24 vjet më parë njihet si gjenocidi në Srebrenicë.

Mijëra familjarë të të vrarëve, miq, përfaqësues të pushtetit, bashkësisë ndërkombëtare, diplomatë, e të tjerë që nga orët e hershme të mëngjesit e kishin vizituar qendrën përkujtimore Potoçari ku u shënua 24-vjetori i gjenocidit.

Përkujtim për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, u organizua edhe në Prishtinë.

“T’rinj për me kujtu, t’përkushtum mos me harru”, “Ta kujtojmë Srebrenicën”, dhe “Kundër mohimit” ishin vetëm disa nga parullat që të rinjtë mbanin në duar në përkujtim të viktimave në Srebrenicë.

“Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” përçoi mesazh për politikanët në Serbi, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre. Me këtë aksion, të rinjtë kosovarë u solidarizuan me popullin boshnjak.

Rexho Kojiq, aktivist nga komuniteti boshnjak, tha se me gjithë faktet që ekzistojnë, autoritetet në Serbi dhe në Republikën Serbe në Bosnjë vazhdojnë ta mohojnë gjenocidin.

Reagime pati edhe nga zyrtarë të shtetit. Presidenti Hashim Thaçi tha se gjenocidi i urdhëruar nga Millosheviqi, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj shkroi se kjo masakër, kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor.

Gjenocidi në Srebrenicë, u përkujtua në qytetin nga ku erdhi ideja për vrasjen e 8 mijë burrave e djemve. Në Beograd, organizata joqeveritare, Gratë në të Zeza, mbajti një aksion, të mërkurën mbrëma.

Aktivistët e mbledhur porositën se raporti i shtetit serb ndaj gjenocidit në Srebrenicë, gjithë këto vjet nuk ka ndryshuar.

“Ky përvjetor u përcoll me heshtje, injorim dhe shihet qartë se ky regjim nuk do të bëjë kurrfarë shkëputjeje nga ajo çfarë ndodhi në vitet ‘90”, u theksua nga kjo organizatë.

Më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, ndryshe zonë e mbrojtur nga OKB-ja dhe vranë mbi 8,000 burra dhe djem. Për këtë gjenocid përgjegjës konsiderohet Radovan Karaxhiq, udhëheqës politik i serbëve në Bosnje.

Disa muaj para përfundimit të luftës në Bosnjë, forcat serbe të Bosnjës nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiq morën nën kontroll strehimoren e sigurt të OKB-së, i ndanë burrat dhe djemtë prej grave dhe i ekzekutuan.

Rivarrimi i trupave, çdo korrik tash e 24 vjet është përkujtues i vuajtjes kolektive, e sipas OKB-së, më shumë se 1 mijë trupa nga gjenocidi në Srebrenicë ende nuk janë gjetur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme