Video

Ekipi i Ahmetit e Limajt shpallet jokushtetues, opozita do dorëheqjen e qeverisë

Gjashtë muaj pas mandatimit nga Kuvendi të ekipit negociator, të kryesuar nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetuese atë dhe Ligjin për Kompetencat e këtij delegacioni.

Në vendimin e Kushtetueses, pas kërkesës për interpretim nga LDK-ja e Vetëvendosje, njëzëri gjykatësit kanë konstatuar se nenet thelbësore të Ligjit nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

“Gjykata thekson se ‘delegacioni shtetëror’, i cili është i përkufizuar me ligjin e kontestuar, duke mos qenë i paraparë me Kushtetutë, po ashtu duke mos qenë i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes se pushtetit, nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Aty shtohet se ky delegacion, meqë nuk është i paraparë me Kushtetutë, ndërhyn në formën e qeverisjes, gjegjësisht në strukturën e ndarjes së pushteteve.

Por, në vendim gjithashtu janë dhënë përkufizime të Kushtetueses së në fakt vetëm Kryeministri dhe qeveria, në konsultim me Presidentin, janë përgjegjës për politikë të jashtme.

Pikat 86, 87, 97, 98 dhe 107 të aktvendimit citojnë nene të Kushtetutës, sipas të cilave, qartësohet mënyra e ndarjes së pushteteve dhe përgjegjësive për politikë të jashtme.

“Gjykata vëren se obligimet e ushtrimit të kompetencave në politikën e jashtme

u janë besuar institucioneve kushtetuese, duke përfshirë edhe arritjen e

marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo kompetencë, në kuadër të politikës së

jashtme, nuk mund të bartet te një trup si ‘delegacioni shtetëror’, përmes një

akti më të ulët juridik, siç është ligji i kontestuar”, thuhet në pikën 88 të aktgjykimit të Kushtetueses.

Me publikimin e vendimit, anëtarët e PSD-së në ekip negociator kanë dorëzuar pozitat e tyre nga ekipi, që ka pushuar së ekzistuari.

Dy partitë opozitare, LDK-ja e Vetëvendosje, që kanë parashtruar në gjykatë kërkesën për interpretim, kanë vlerësuar se pas këtij vendimi, e gjithë qeveria duhet të dorëhiqet.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën për Ekipin Negociator të Kosovës.

Ky ekip ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës, i miratuar muaj më parë nga Kuvendi, por i cili u kontestua nga LDK-ja e Vetëvendosje.