Fitorja historike e Kosovës në Sofje

11 June 2019 19:18

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka arritur fitore historike si mysafire e Bullgarisë me rezultat 3:2, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Triumfi i “Dardanëve”, që ishte i pari në kualifikime për Kampionat Evropian, ishte spektakolar dhe erdhi në kohën shtesë, raporton KTV.

Golat e fitores së jashtëzakonshme për Kosovën i realizuan Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe zëvendësuesi, Elbasan Rashani, i cili shënoi në minutën e 93-të, për t’ua siguruar 3 pikë të arta “Dardanëve”.

Përzgjedhësi Bernard Challandes dhe ylli i Kosovës, Milot Rashica, pas ndeshjes, kanë deklaruar se me paraqitjen që kanë treguar, e kanë merituar fitoren.

3 pikët e rrëmbyera në “Vasil Levski” u festuan nga lojtarët në zhveshtore si dhe në Prishtinë, ku shumë tifozë kishin dalë në rrugët e kryeqytetit.

Për triumfin e kosovarëve kanë shkruar edhe mediat e ndryshme evropiane, të cilat e kanë cilësuar si sukses të madh për një Kombëtare që ka vetëm 3 vjet që është pranuar në UEFA dhe FIFA.

Kosova e trajnerit Challandes nuk di për humbje në 14 ndeshje radhazi dhe aktualisht është kombëtarja me serinë më të gjatë pa humbje në Evropë, duke e lënë në pozitën e dytë Portugalinë.

Me 5 pikë pas 3 ndeshjeve të luajtura, Kosova renditet në pozitën e tretë të Grupit A, me një pikë më pak se Anglia dhe Çekia, që ndajnë vendin e parë dhe të dytë me pikë të barabarta.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan kundër Çekisë, më 7 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme