Idrizi thotë se pezullimi nga ana e Bytyqit është bërë qëllimisht vetëm pse foli publikisht

10 June 2019 19:50

Vetëm një ditë pasi Ferit Idrizi, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, në MASHT e denoncoi ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për kërcënim fizik, ky i fundit e ka pezulluar nga detyra.

Në vendimin e siguruar nga “Koha Ditore” thuhet se Idrizi pezullohet nga puna dhe detyra me pagesë për periudhën 3 muaj, raporton KTV.

Idrizi, përmes telefonit, i ka thënë KTV-së se kjo është hakmarrje ndaj tij dhe se këtë vendim e ka pritur nga ana e ministrit.

Ai thotë se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, për të dëshmuar se e tëra çfarë ka deklaruar në media, është e vërtetë.

Ministria e Arsimit e kishte mohuar kërcënimin ndaj Idrizit dhe se atij i kërkoi të nënshkruajë ndonjë dokument të jashtëligjshëm.

Për këtë vendim, ka reaguar edhe sindikata e MASHT-it e cila thotë se i ka marrë me shqetësim zhvillimet e fundit, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë masa.

“Meqenëse asnjë kërkesë e organizatës sindikale nuk është marrë parasysh dhe meqenëse janë shënuar shkelje flagrante të të drejtave elementare njerëzore sipas kushtetutës së vendit dhe shkelje të të drejtave të punës të garantuara me Ligjin e punës dhe ligjet e tjera, meqenëse një pjesë e stafit të MASHT-it po i nënshtrohet keqtrajtimin psikologjik, moral dhe etik, meqenëse shumë personave po u shkelet dinjiteti profesional dhe personal, meqenëse tashmë të punësuarit po kërcënohen, kjo shoqatë sindikale dëshiron ta paralajmërojë Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se, nëse këto shkelje ligjore, ky trajtim jodinjitoz dhe johuman nuk ndalet, do të ndërmarrë të gjitha masat sindikale të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare. Dëshirojmë ta njoftojmë opinionin dhe qeverinë se ky është paralajmërimi i fundit që i bëhet MASHT-it dhe organeve qeveritare”, thuhet në reagimin e Sindikatës së MASHT-it.

Televizioni ka provuar gjatë ditës të marrë një përgjigje nga ministri Bytyqi, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme