Me marsh kërkohet dorëheqja e Brovinës, mbështetje për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës

20 May 2019 19:12

Me brohoritje është kërkuar dorëheqja e deputetes së PDK-së, Flora Brovina, të hënën para Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse në numër jo të madh, qytetarët e mbledhur në marshin protestues në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale kërkuan llogari dhe mbështetje nga Kuvendi dhe institucionet e tjera, raporton KTV.

Pas publikimit të një fotografie nga deputetja Brovina, e cila pretendonte se dëshmon kryerjen e dhunimeve seksuale, organizatorët kanë thënë se vetëm dorëheqja nuk mjafton.

Në protestë është theksuar se viktimat e dhunës seksuale meritojnë trajtim të dinjitetshëm.

Vëllai i Vasfije Krasniqit ka thënë se publikimi i fotografisë i ka dëmtuar shumë të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe organizata të tjera të shoqërisë civile, deputetë të Kuvendit, ish-presidentja Atifete Jahjaga e ambasadori britanik, Ruari O’Conell.

Protesta u organizua tri ditë pas publikimit të fotografisë nga deputetja Flora Brovina, e cila më pas kërkoi falje dhe tregoi se fotografia mund të jetë e falsifikuar, por nuk u largua nga posti i saj publik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme