Deputetët e pushtetit dhe opozitës fajësojnë njëri-tjetrin për punësimet në Telekom

14 May 2019 19:10

Në një tjetër seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, pushteti e opozita kanë bërë fajtorë njëra-tjetrën, këtë herë për krizën në Telekom.

Në seancën që zgjati rreth 4 orë u përmend krimi i organizuar si dhe punësimet familjare e partiake, pa kritere e kualifikime të duhura, raporton KTV.

Fillimisht, fjalën e mori shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili fajësoi PDK-në për shkatërrimin e kësaj ndërmarrjeje publike.

Menjëherë fjalën e morri kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili tha se nëse dikush bën kontratë në dëm të Telekomit me kompani private, do të përballet me ligjin.

Nga deputetet e opozitës, u kërkua shkëputja e kontratës së Telekomit me Z-Mobile.

Por, për koalicionin qeveritar, opozita vetëm për qëllime të veta të përfitimit po thirr seanca për të krijuar edhe më shumë mjegull.

Pas kësaj deklarate, pati replika dhe kundër-replika mes deputetes së Vetëvendosjes Albulena Haxhiu dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Ndërsa bashkëpartiakja e Haradinajt, Donika Kadaj- Bujupi, tha se posedon emrat e familjarëve të partive të tjera të punësuar në Telekom.

Por, pas Fatmir Sejdiut, Kadaj-Bujupi nuk përmendi më emra, pasi tha se këtë ia kërkoi deputeti Daut Haradinaj.

Deputeti Shkumbin Demaliaj ka mbajtur një listë, ku figurojnë emrat të familjarëve të deputetëve e zyrtarëve të LDK-së e PDK-së si të punësuar në Telekom.

Akuza më të rënda ndaj PDK –së dhe LDK-së pati deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka, i cili përmendi edhe emra të ndërkombëtarëve për gjendjen e keqe në Telekom.

Kryeministri e ka arsyetuar kompaninë duke kërkuar që ajo të mos fajësohet, por ata që ia dhanë mundësinë për ta lidhur kontratën.

Siç ndodh rëndom, pavarësisht debatit disaorësh, rezoluta nuk arriti të votohej në mungesë kuorumi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme