Video

Djegia e milionave, skandali i quajtur “Kosova e Re” - gjerësisht në numrin special të “Kohës Ditore”

Efektet e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” në buxhetin e shtetit, por edhe në xhepin e qytetarit, trajtohen në këtë numër të Kohës Ditore.

Cilët janë hapat e qeverisë drejt realizimit të këtij projekti dhe kush po e konsideron të panevojshëm në këtë fazë, themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës?

Kryeredaktori Agron Bajrami, kthehet në nismë të projektit për “Kosovën e Re” dhe rikujton vendimet e gabuara të qeverive, për të cilat nuk kanë dhënë asnjëherë llogari.

Për ëndrrën amerikane që kishin dy familje nga Kosova, sakrificat dhe zhgënjimin, mund të lexoni në reportazh, ndërsa nga bota vjen fryma e protestave në Sudan dhe një shkrim interesant mbi karakteristikat e presidentëve të SHBA-së.

Në 7 shkronja, këtë javë, vjen xhudistja Loriana Kuka, ndërsa në faqet e kulturës lexoni për ekspozitën e veçantë “Aleksandër Moisiu, njeri dhe artist”.

Nga bota e librit, mësoni se si po politizohen botimet për fëmijë, e në rubrikën e filmit, lexoni për një film të realizuar së fundmi, që për pikënisje ka zhvillimet në Shqipërinë e vitit 1997.

Përvojat e hendbollistit kamerunas Pamphile Bassomben në Ferizaj dhe të volejbollistes amerikane Briana Gardner në Gjilan, ku festuan titujt e kampionëve, i gjeni në faqet e sportit.

Por, në mbi 80 faqe të gazetës, gjeni edhe shumë artikuj interesantë, enigmatikë, lajme nga teknologjia dhe faqe dedikuar më të vegjëlve.