Video

Qeveria e Kosovës dënon ndalimin në Serbi të politikanëve serbë të Kosovës

Serbia vazhdon të mos i përfillë marrëveshjet e arritura me Kosovën.

Është hera e dytë brenda pak kohësh, që këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Sërgjan Jovanoviq, është ndaluar sërish në vendkalimin kufitar, Dheu i Bardhë, raporton KTV.

Sërgjani ishte bashkë me këshilltarin në Ministrinë e Bujqësisë, Sreqko Spasiq.

Kryeministri Ramush Haradinaj, këtë veprim e ka cilësuar të papranueshëm e keqtrajtim të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

“Keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës. Kjo tregon se politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesorë të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritetet serbe”, ka shkruar Haradinaj

Për këtë, ka reaguar edhe Partia e Pavarur Liberale nga radhët e së cilës janë të ndaluarit.

Përmes një kumtese për media, kjo parti thotë se nuk i kupton përpjekjet e frikësimit dhe të keqtrajtimit të anëtarëve të vet nga ana e policisë së Serbisë.

Partia Liberale ka bërë thirrje edhe një që për këtë çështje të ndërhyjë BE-ja.

“Partia e Pavarur Liberale nuk i kupton këto përpjekje për frikësim e keqtrajtim dhe kushedi për të satën herë kërkon përgjigje nga presidenti i Serbisë, kryeministrja dhe shefi i Shërbimit të Agjencisë informative, pse përfaqësuesit e lartë të kësaj partie politike po ndalohen në hapësirat policore të Serbisë nëpër vendkalime. Presim reagimin konkret të BE-së dhe të institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare lidhur me këto keqtrajtime të anëtarëve të Partisë së Pavarur Liberale”, thotë ndër të tjera kumtesa.

Edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, ka thënë se Serbia po vazhdon avazin e vjetër, duke maltretuar e keqtrajtuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.