Haradinaj: Në zgjedhje shkojmë kur të doni, VV-ja nervoze se AAK e ka kaluar

18 April 2019 19:25

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është gatshëm që të shkojë në zgjedhje, nëse këtë do ta kërkonin partnerët e tij në qeveri.

Ai tha se partia që e udhëheq ai, AAK-ja, është e gatshme kurdoherë për këtë proces, por tha se është i fundit që do ta prishë kontratën, e kjo do të ndodhë vetëm nëse tradhtohet.

Për Vetëvendosjen, tha se po tregohen shumë nervozë kohët e fundit, sepse e kanë kuptuar që AAK-ja ka dalë me sondazhe para tyre.

Haradinaj foli edhe për Samitin e Berlinit. Tha se është një ndryshim substancial thirrja e samitit në Berlin që, sipas tij, është një lloj energjie e re që po vërehet në prag të tij.

Ai ka thënë se duhet të ndodhë një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse ky është një kompromis për Kosovën.

Këto deklarime, Haradinaj i bëri pas mbledhjes së qeverisë, aty ku u mor vendim që për katedralen e djegur të Parisit, të ndahen 20 mijë euro nga buxheti i shtetit, kurse me një vendim tjetër, për organizimin e zgjedhjeve në veri, janë dhënë rreth gjysmë milioni euro, e 18 mijë të tjera për PZAP-in.

Gjithashtu, ekzekutivi ka marrë vendim që Aeroporti i Gjakovës të kalojë nën menaxhim të Ministrisë së Mbrojtjes, për nevoja të kësaj ministrie dhe të FSK-së.

Kryeministri tha se ky është lajm i mirë, sepse kështu do të ndalet shkatërrimi i mëtejmë i këtij aeroporti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme