Zgjedhjet në veri do të ndihmohen nga OSBE-ja, ende nuk kanë aplikuar partitë

16 April 2019 19:18

OSBE-ja përsëri do të ofrojë ndihmën e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen në katër komunat veriore.

Por, roli i OSBE-së pritet të jetë vetëm këshillëdhënës në zgjedhjet, të cilat do të mbahen në Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Për shkak të situatë më specifike në këtë pjesë të Kosovës, kryetarja e KQZ-së thotë se e ka parë të arsyeshme që të kërkojë edhe këtë herë ndihmë teknike për Këshillat e vendvotimeve ditën e zgjedhjeve, raporton KTV.

Megjithatë, Daka pret që këto zgjedhje të zhvillohen pa probleme.

Misioni i OSBE-së, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se është i gatshëm të ofrojë ndihmë teknike në këtë proces zgjedhor.

“Do të ketë personel në Komisionet Komunale Zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve do të ofrojë ndihmë teknike në qendra të votimit. Ky nuk është mision i monitorimit dhe vëzhgimit, por është teknik dhe ndihmë në vendngjarje për trupat e KQZ-së që administrojnë zgjedhjet”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Ndërsa, në mbledhjen e së martës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka emëruar anëtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore.

Këto zgjedhje mbahen më 19 maj, pas dorëheqjes së kryetarëve serbë, të cilët u larguan shkaku i vendimit të Qeverisë për taksën e mallrave serbe.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme