Krasniqi e akuzon opozitën për ‘pabesi’, dështojnë disa votime

15 April 2019 20:04

Deputetë të Kuvendit të Kosovës ia kanë vazhduar edhe për 30 ditë mandatin Komisionit hetimor që po heton dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova një vit më parë.

Por, ky votim u bë vetëm në tentimin e katërt, meqë tri herë me radhë dështoi të siguronte votat e mjaftueshme, raporton KTV.

Partitë në pushtet nuk morën pjesë në votim, e pas kësaj, një vendim të opozitës e bëri publik Glauk Konjufca, i cili arriti t’ia ndërronte mendjen shumicës parlamentare.

Por, kur komisioni u mandatua, e u erdhi radha projektligjeve, opozita nuk mori pjesë në votim e kjo e nervozoi shefin e deputetëve të PDK-së.

Ndërkohë, deputetët këtë të hënë kanë arritur të votojnë komisionin e përkohshëm që do të kontribuojë në përmirësimin e procesit zgjedhor, meqë LDK-ja vendosi ta tërheqë Arben Gashin për ta zëvendësuar aty me Lirie Kajtazin.

Por, aty kanë dështuar të votohen rezolutat e propozuara nga opozita, që kanë dalë nga debatet shumë seanca më parë.

Pushteti, duke iu hakmarrë opozitës, nuk e votoi rezolutën lidhur me angazhimet e presidentit për përfshirjen në idenë e shkëmbimit të territoreve, e as atë për dështimet e koalicionit për liberalizim vizash.

Dështoi të merrte vota edhe rezoluta pas debatit për keqpërdorimin e së miturës nga Drenasi, debat që u zhvillua në fillimin e shkurtit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme