Video

Kosova u ballafaqua me shumë probleme në Beograd gjatë Samitit Digjital

Në ditën e parë, në Beograd u arrit një marrëveshje e rëndësishme për ballkanasit, e në ditën e dytë u lejua të sulmohet prania dhe shtetësia e Kosovës.

Në një nga panelet e Samitit Digjital, të organizuar nga Bashkimi Evropian, derisa prezantohej ICK nga menaxheri i saj Shpend Lila, një gruaje nga publiku iu është dukur e papranueshme që, sipas saj, të afirmohet pavarësia e njëanshme e Kosovës, raporton KTV.

Gjithashtu, edhe në monitorin prapa Lilës, ishte i shkruar i njëjti mesazh.

Me situata të tilla është ballafaquar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, që të enjten ishte një prej 6 nënshkruesve të marrëveshjes që parasheh heqjen graduale të roamingut në Ballkan deri në vitin 2021.

Për këto incidente, ka reaguar edhe kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, sipas të cilit, ato ishin të organizuara.

Në një konferencë për media, pas turneut të tij në shtete të ndryshme afrikane, Pacolli ka kërkuar reagimin e BE-së për sjelljet e shtetit serb.

Përndryshe, në këtë konferencë, Pacolli, ka thënë të ketë pasur takime të shumta me krerë shtetesh nga kontinenti afrikan, përfshirë ata të Gambisë, Liberisë e Guinea Bissau.

Pacolli ka demantuar pretendimet së këto shtete kanë tërhequr njohjen e tyre, derisa, për faktin që nuk ka njohje të reja për më shumë se një vit, është arsyetuar se lobimi është proces që merr kohë, e gjithashtu ka përmendur si pengesë edhe ndikimin ruso-kinez në këtë kontinent.