E quajti “gjenocid” intervenimin e NATO-s në vitin 1999, shkarkohet zv/ministrja serbe

25 March 2019 19:05

Nga e hëna, Vesna Mikiq nuk do të figurojë më në listën e gjatë të 80 zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj.

Zëvendësministrja e Drejtësisë nga Lista Serbe, Vesna Mikiq, u shkarkua nga ky post, pasi kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid.

“Para 20 vjetësh, ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, ka shkruar Mikiqi në Facebook të dielën.

Këto qëndrime të saj, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj.

Pak orë para se kryeministri ta shkarkonte nga detyra atë, kryeparlamentari Kadri Veseli e quajti të parëndësishme deklaratën e saj.

Shkarkimin e saj e kishte kërkuar edhe deputetja e Kuvendit, Ganimete Musliu.

Vesna Mikiq ishte emëruar zëvendësministre e Drejtësisë në shtator të 2017-s nga radhët e Listë Serbe.

Një tjetër bashkëpartiak i saj, Nenad Rikallo, më 2 shkurt të këtij viti, ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Bujqësisë.

Por, ministra të Listës Serbe patën probleme që kur u bënë pjesë e institucioneve.

Pas protestave popullore, Aleksandër Jabllanoviq, më 2015, ishte shkarkuar nga pozita e ministrit për Kthim dhe komunitete, pasi i kishte quajtur nënat shqiptare: egërsira.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme