Radovan Karaxhiqi, në burg përjetë

20 March 2019 19:55

Burgim i përjetshëm është dënimi për ish-liderin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

Paneli prej pesë gjyqtarësh konfirmoi dënimin e Karaxhiqit për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, gjatë Luftës së Bosnjës, dhe komentoi se dënimi me 40 vjet burgim, i dhënë nga gjykatësit e procedurës paraprake, ishte shumë i lehtë duke e pasur parasysh peshën e krimeve që kishte kryer si dhe përgjegjësinë.

Ndërkohë, vendimin për burgim të përjetshëm të Karaxhiqit, në lot e kanë pritur të mbijetuarit në Srebrenicë. Të mbijetuarit e masakrave në Bosnjë ishin bërë bashkë për ta pritur vendimin e gjykatës ndaj ish-liderit politik të serbëve.

Karaxhiq, 73-vjeçar, ishte dënuar në vitin 2016 për masakrimin e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebenicë. Ai ishte shpallur fajtor për spastrim etnik ndaj kroatëve dhe myslimanëve në disa qytete të Bosnjës, por edhe për rrethimin e Sarajevës.

Mbi 100 mijë persona u vranë gjatë luftës në Bosnjë dhe 2.2 milionë të tjerë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Në Apel, prokurorët kishin kërkuar që të anulohet vendimi për lirimin e Karaxhiqit nga akuza e dytë për gjenocid, që lidhet me sulmet dhe qëllimin për asgjësimin e popullsisë myslimane dhe kroate në pjesë të tjera të Bosnjës dhe të shpallet fajtor për këtë akuzë. Karaxhiqi, së bashku me ekipin e tij ligjor, kishin dërguar në Gjykatën e Apelit edhe dënimin prej 40 vjetësh burgim. Karaxhiqi kishte kërkuar rigjykim apo lirim nga akuzat.

Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, tani nuk mund të ankohet më ndaj vendimit të tribunalit. Gjatë shqiptimit të vendimit, ai ishte i pranishëm në gjykatë dhe nuk reagoi fare ndaj vendimit.

Vendimi, që në Hagë u shqiptua të martën, është një prej të fundit që kanë mbetur lidhur me pasojat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet e ‘90-a.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme