Ministrat që gjuajtën me armë u dënuam me para, Ismaili për gaz 6 muaj burgim me kusht e ata të VV-së 1 vit

18 March 2019 19:20

Me 6 muaj burgim me kusht është dënuar deputeti Fisnik Ismaili, për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2015.

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ismailin e shpalli fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Deputeti i PSD-së u shpall i pafajshëm për "pengim të personit zyrtar". Kjo, pasi që prokurori gjatë gjykimit, ka hequr dorë nga kjo ndjekje.

Ismaili është dënuar për kohën sa ishte deputet i Vetëvendosjes.

Sipas aktakuzës ai më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Kosovës, gjatë një kontrolli nga policia, i ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilat i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fuste në sallën e Kuvendit.

Vitin e kaluar, gjykata kishte dënuar edhe katër deputetë të tjerë për hedhje të gazit lotsjellës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli u dënuan me nga mbi 1 vit burgim me kusht.

Por, dënime krejtësisht të tjera javë më parë, bëri Gjykata në Malishevë.

Kjo gjykatë dënoi vetëm me gjobë ministrin Endrit Shala, atë të Diasporës Dardan Gashi dhe ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku për gjuajtje me armë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme