Tre të vdekur pas një aksidenti në fshatin Duhël

16 March 2019 17:40

Tre persona kanë vdekur në një aksident në fshatin Duhël të Komunës së Suharekës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi. Ai ka thënë se viktimat kanë vdekur në vend të ngjarjes dhe se ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë të lënduar, raporton KTV.

Një person tjetër ka vdekur në një aksident në magjistralen Pejë - Rozhajë, saktësisht në fshatin Vitomericë. Në këtë aksident, janë lënduar edhe dy persona të tjerë, njëri me lëndime të rënda.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka thënë se dy nga viktimat janë nga Prishtina dhe një nga Lipjani.

I tronditur me lajmin është shprehur kryeministri Ramush Haradinaj, i cili bëri thirrje për respektim të rregullave në komunikacion.

“Tragjeditë kaq të shpeshta e me pasoja fatale janë shqetësuese për të gjithë ne. U bëj thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të vozisin me përgjegjësi, ndërsa institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet adekuate në parandalimin e aksidenteve, të cilat po përgjakin rrugët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme