Përmbledhje nga sulmi terrorist në Zelandën e Re

15 March 2019 19:34

49 besimtarë myslimanë u vranë me armë zjarri në dy xhami, në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, në kohën kur kishin shkuar për ta falur namazin e xhumasë.

Në këtë sulm terrorist, mbetën të plagosur më shumë se 40 të tjerë.

Australiani Brandon Tarrant ishte i armatosur rëndë kur sulmoi besimtarët, derisa kryeministrja Jesinda Ardern e ka quajtur tragjedinë si sulm terrorist ndaj njerëzve të pafajshëm, raporton KTV.

Kryeministri australian, Scott Morrison, e përshkroi sulmuesin si terrorist të ekstremit të djathtë.

“Është e qartë se ky është sulm terrorist. Ky sulm nuk ishte planifikuar mirë, derisa dy bomba të pashpërthyera janë gjetur dhe sulmuesit janë çarmatosur. Katër persona, aktualisht, janë të arrestuar”, ka thënë Jesinda Ardern, Kryeministre e Zelandës së Re.

“Po përballemi me një situatë të paprecedent në Zelandën e Re. Është situatë serioze. Jemi përballur me një sulmues dhe kemi shumë të vrarë. Ngjarja ka ndodhur në dy xhami dhe policia ka siguruar zonën. Janë katër të arrestuar. Nuk dimë për të dyshuar tjerë. Shkollat janë mbyllur dhe po sigurohemi që të kemi staf të mjaftueshëm që t’i dërgojmë të sigurt në shtëpi”, u shpreh Mike Bush, Komisioner i Policisë, Zelandë e Re.

Sulmi i parë ndodhi në xhaminë Al Noor, e cila ndodhet në qendër të qytetit.

Dëshmitarët e kanë përshkruar ngjarjen si të tmerrshme, derisa kanë parë njerëz të jenë qëlluar në kokë.

“Ai filloi të gjuajë, kur dera e xhamisë ishte e mbyllur dhe kam parë shumë njerëz në tokë. Ishte e tmerrshme”, ka thënë Farid Ahmed, dëshmitar.

“Në momentin e sulmit ndodhesha brenda. Dhe, derisa imami po e mbante ligjëratën, filluan të shtënat”, u shpreh Ramzan Ahmed, dëshmitar.

Sidoqoftë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i liderëve nga mbarë bota.

Liderët politikë kanë shprehur neverinë e tyre ndaj sulmit në dy xhamitë në Zelandë të Re, e disa prej tyre kanë cituar islamofobinë në ngritje si përgjegjëse për sulmin.

Presidenti turk Erdogan ka thënë se sulmet e tilla mund të përsëriten, nëse nuk merren masat e duhura.

Gjithashtu, edhe shtetet evropiane dhe SHBA-ja, e kanë dënuar sulmin terrorist ndaj myslimanëve në Zelandë e Re.

Presidenti amerikan Turmp, sulmin e ka quajtur barbar dhe shtoi se 49 persona u vranë pa faj.

Edhe kryeministrja Theresa May i ka shprehur ngushëllime popullit të Zelandës së Re.

Myslimanët përbëjnë vetëm 1% të popullatës së Zelandës së Re, ose 49 mijë banorë.

© KOHA

Të ngjashme