Ekipi për dialog s’flet për taksën me diplomatët evropianë, thotë se kjo i takon Qeverisë

22 February 2019 19:14

Shpend Ahmeti , Fatmir Limaj e anëtarë të tjerë të delegacionit shtetëror për dialog, kanë qenë nikoqirë të takimit me ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Kosovë.

Rreth njëzetë diplomatë evropianë, përfshirë edhe shefen e zyrës së BE-së e atë të EULEX-it, zhvilluan takim për më shumë se një orë, në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës, takim ky i mbyllur për media, raporton KTV.

Aty, diplomatët i kanë dhënë mbështetje ekipit, por kanë shprehur edhe shqetësimet për taksën, pezullimi i së cilës është kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së e BE-së.

Pas përfundimit të takimit, bashkëkryesuesi i ekipit shtetëror, Fatmir Limaj, ka thënë se i kanë njoftuar ambasadorët për punën dhe angazhimin e ekipit rreth procesit të dialogut.

I pyetur nëse në këtë takim kanë diskutuar edhe për taksën, Limaj tha se ambasadorët kanë paraqitur shqetësimet rreth temave të përditshme, por, sipas tij, tema e taksës është temë që i takon Qeverisë.

Limaj, tutje, tha se afatizimet janë të dëmshme, por e rëndësishme është mirëmbajtja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Prania e mediave te vendi ku zhvillohej takimi ka nervozuar anëtarët e ekipit shtetëror, të cilët vazhdimisht zhvillojnë takime larg mediave, megjithëse kur u themeluan si ekip ata premtuan transparencë për punën e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme