Blerim Kuçi, aktualisht zyrtari më i lartë i ftuar nga Specialja

21 shkurt 2019 19:02

Blerim Kuçi është bërë zyrtari më i lartë në detyrë që është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Deputeti i AAK-së ka konfirmuar se është urdhëruar të paraqitet në Hagë për intervistim, më 12 mars.

Kuçi, që kishte udhëhequr një njësit special brenda UÇK-së, në një njoftim të shkruar, ka kërkuar mirëkuptim sepse ka thënë se nuk do të flasë publikisht për këtë, deri në ndonjë zhvillim të ri.

“Është e sata herë që në këtë mënyrë sfidohen ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe bëhen përpjekje maksimale që të barazohet lufta jonë për liri me krimet më makabre që Serbia i ka bërë në Kosovë. Unë jam i bindur se edhe kjo përpjekje, si të gjitha të tjerat deri më tash, do të dështojë”, ka shkruar Kuçi.

Megjithëkëtë, zyrtari i AAK-së nuk ka sqaruar në çfarë cilësie është ftuar të merret në pyetje.

Në Kosovë, ai kishte refuzuar të dëshmonte në rastin “Kleçka”, ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

Po në këtë gjykim, ishte bërë e ditur se Kuçi ishte i burgosur për një kohë nga UÇK-ja.

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, pati treguar se e kishte dënuar me vdekje Kuçin në kohë lufte për dezertim, por pastaj ky vendim ishte kthyer mbrapa.

Vetë Sokol Dobruna është në mesin e rreth 20 personave që janë ftuar e disa edhe janë intervistuar deri tani nga prokurorët në Prishtinë e Hagë, të cilët nuk kanë bërë ende publike asnjë aktakuzë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme