Haradinaj e sfidon Veselin: Pa trauma, le të provojë ta rrëzojë Qeverinë

19 shkurt 2019 19:02

Nën tensione e me plot mesazhe, u përcoll seanca solemne e përvjetorit të pavarësisë, por kryeministri Ramush Haradianaj nuk ka dashur shumë të komentojë rreth fjalimit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, por ka thënë se ata që kërkojnë zgjedhje, nuk kanë nevojë të bëhen nervoz.

Ai ka thënë se kjo është puna më e lehtë e që mund të përfundojë brenda pesë minutash. Sipas tij, ata të cilët duan zgjedhje, mjafton t’i sigurojnë 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë në Kuvend, raporton KTV.

Nervozizmin e tij pas deklaratës së Veselit, e ka arsyetuar si pjesë e ngarkesës.

Ndërkohë, numri një i Qeverisë u shfaq i gatshëm për një takim në formatin, të cilin e ka propozuar zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli.

Kur foli për dialogun, ai e kritikoi Federica Mogherinin, që tha se ka zhvilluar dialog të fshehtë e nga ajo kërkoi që këtë proces ta nxjerrë mbi tavolinë.

Kryeministri pranoi se taksën e mban edhe për vota, dhe tha se çdo vendim i tij si kryeministër, ka edhe implikime zgjedhore.

Por, shtoi se ka diçka më me rëndësi se votat, e sipas tij, është rreziku që i kanoset Kosovës nëse kthehet prapa.

Ndërkohë, qëndrimin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për demarkim të kufirit në vija etnike, kryeministri e quajti ide të rrezikshme, por që shpërfaq qëndrimin e Beogradit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme