Katër protestues e dy policë të lënduar në protestën e opozitës në Tiranë

16 shkurt 2019 19:46

Me eskalim situate është karakterizuar protesta e organizuar nga opozita në Tiranë.

Së paku katër protestues dhe dy policë janë lënduar, raporton KTV.

Ndër të lënduarit, kanë qenë edhe gazetarët të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.

Për më shumë se një orë, protestuesit kanë tentuar të hyjnë me dhunë në oborrin e qeverisë.

Ata kanë arritur të çajnë kordonin e policisë dhe u kanë vënë flakën dyerve të Kryeministrisë.

Protestuesit kanë hedhur molotov dhe shishe me benzinë, ndërsa kanë shqyer mbulesën e skelës me hekura të vendosur para Kryeministrisë.

Policia në anën tjetër, ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Në kohën kur kishte nisur protesta, kryeministri Edi Rama mblodhi mijëra qytetarë në Vlorë për të folur për të ashtuquajturin cikël kombëtar “Bashkia që duam”, në prag të zgjedhjeve lokale.

Rama për protestën ka reaguar në kohën që është thyer statuja kërpudhë në oborrin e qeverisë.

“Kjo nuk është Shqipëria, e këta nuk janë shqiptarët.’, shkroi Rama në twitter.

Për eskalimin e protestës së organizuar nga opozita në Shqipëri, ka reaguar Ambasada amerikane në Tiranë dhe BE-ja.

Ata kanë apeluar për shmangie të dhunës.

Protesta ka përfunduar në orën 16 me thirrjen e Bashës, që ajo të vazhdojë të enjten.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme