Kronikë e KTV-së nga takimi i liderëve shtetërorë për taksën

14 February 2019 19:12

Aq sa po rriten presionet për heqjen e taksës, po shpeshtohen edhe takimet e liderëve shtetërorë, por përfundimi i tyre po del të jetë i njëjtë, raporton KTV.

Një tjetër takim u zhvillua edhe këtë të enjte herët në mëngjes, por, pas përfundimit, kryeministri nuk parapëlqeu të flasë shumë për taksën, duke thënë se ky takim ishte veç për platformën për dialogun.

Ai i dha mbështetje këtij dokumenti, për të cilin tha se është në përputhje të plotë me Kushtetutën, derisa u dërgoi mesazh edhe atyre që flasin në emër të Amerikës.

Pavarësisht që kryeministri tha se temë kryesore në këtë takim ishte platforma, burime të Koha.netit kanë thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli ka qenë i ashpër ndaj qasjes së Haradinajt për taksën.

Sipas të njëjtave burime, kryeparlamentari Kadri Veseli, në takimin e mëngjesit, ka kërkuar bashkërendim të vendime institucionale për Kosovën.

Veseli ka kërkuar bashkëpunim në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi.

Ndërkohë, partneri i tij në koalicion, kryeministri Haradinaj, ka thënë se edhe opozita duhet ta japë kontributin për platformën. Tha se, edhe pse nuk janë pjesë e ekipit, ata mund ta mbështesin këtë dokument.

Por, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se platformë është Kushtetuta e Kosovës e ekip negociator Qeveria, por që këta të fundit duhet ta marrin legjitimitetin nga populli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme