Separatistët e Katalonisë gjykohen për referendum për pavarësi, test për drejtësinë spanjolle

12 shkurt 2019 19:37

Me pompozitet të madh media në Madrid ka filluar gjykimi ndaj udhëheqësve të rajonit të Katalonisë. 12 persona akuzohen për disa vepra penale si mosbindje, rebelim dhe keqpërdorim i parave publike, pasi organizuan referendumin për pavarësi të rajonit.

9 nga 12 të pandehur kanë kaluar muaj të tërë në paraburgim e të tjerë ishin në arrest shtëpiak. Këta të gjithë erdhën në gjykatë të rrethuar me shumë roje, transmeton KTV. Figura më prominente e gjykimit është ish-zëvendëspresidenti Oriol Junqueras. Pikërisht ai mund të dënohet me dënimin më të madh, respektivisht 25 vjet burgim për disa nga akuzat.

Rajoni i Katalonisë mbajti referendumin për pavarësi me 1 tetor 2017 dhe më vonë shpalli pavarësinë nga Spanja.

Por autoritetet në Madrid e vlerësuan votimin ilegal, dhe qeveria kombëtare vendosi sundim direkt ndaj rajonit. Sidoqoftë, kriza në Kataloni konsiderohet si më seriozja e cila preku politikën spanjolle që nga përfundimi i diktaturës.

Gazeta spanjolle El Pas, ka shkruar se autoritetet ua kishin ndaluar publikut hyrjen në gjykatë, përfshirë disa familjarëve të të akuzuarve, derisa u sqaruan dilemat se kush lejohet të hyjë në gjykatë.

Gjykimi tensionoi edhe më shumë atmosferën e brishtë në Spanjë. Sidoqoftë, prania e madhe e policisë bëri që grupet kundërshtare që protestonin, të mos ndesheshin mes vete.

Për fillimin e gjykimit u deklarua edhe arkitekti i referendumit diskutabil, ish-presidenti Carles Puigdemont, i cili ndodhet në azil në Belgjikë, përcjell KTV. Fillimisht, shkroi në Twitter, duke thënë se gjykimi paraqet autoritetin që do të frikësojë Kataloninë.

Pavarësisht gjykimit, separatistët katalonus vazhdojnë të kenë fuqi politike në qeverinë qendrore. Kryeministri Pedro Sanchez, ka nevojë për votat e politikanëve pro-pavarësisë për të miratuar buxhetin spanjoll, e nëse dështon në këtë tentim, Spanja mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme