VV-ja e quan spektakël politik padinë e Ahmetit, ky i kërkon Kurtit ballafaqim televiziv

12 shkurt 2019 19:20

Kallëzimit penal të Lëvizjes Vetëvendosje me pretendimin për keqpërdorimin e 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu përgjigj me padi për shpifje.

Pasi dorëzoi padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Ahmeti tha se për anëtarët e Vetëvendosjes, nuk është me rëndësi e vërteta, e as paraja publike, por sulmet dhe shpifjet ndaj tij.

Ahmeti shtoi se kur ka ndodhur furnizimi me këtë qumësht nga ky tender, ai ka qenë pjesë e Vetëvendosjes.

“Të gjitha procedurat kanë qenë të hapura, asnjë procedurë nuk ka qenë e mbyllur. Nuk e di se me çfarë logjike dikush mundet me buxhet ta përcaktojë se kush do të ofertojë dhe sa do të ofertojë. Është çmimi më i ulët i qumështit që paguhet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i Prishtinës ka thënë se prapa akuzave fshihet ish-shefi i tij në Vetëvendosje, Albin Kurti. Këtij të fundit, Ahmeti i ka kërkuar ballafaqim televiziv për qumështin dhe tema të tjera.

“Do të ishte mirë që kjo padi të shkonte për atë që e gjuan gurin dhe e fsheh dorën. Ai është Albin Kurti. E kam ftuar në ballafaqim, hajdeni në çdo televizion, ama le të vijë kryetari, mos të fshihet prapa Fitores, Valdrinave Emanave, sepse i njohim këta. Do të ishte mirë të dalë në debat, të ballafaqohemi për krejt temat, edhe për qumësht edhe për qeverisje, edhe për Devollët, në çfarëdo televizioni, dhe tregojmë kush po rren në këtë mes”, ka thënë Ahmeti.

Në partinë e Albin Kurtit kanë thënën se Ahmeti, as kësaj radhe nuk ka dhënë shpjegime për pretendimet e tyre.

Valdrin Ahmeti, sekretar organizativ i Qendrës së LVV-së në Prishtinë ka thënë se padia e Ahmetit paraqet spektakël politik.

Në janar, Lëvizja Vetëvendosje, ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Ahmetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme