Në Ferizaj u marshua në përkrahje të vajzës që dyshohet se u abuzua seksualisht nga një profesor e një polic

11 February 2019 19:19

Marshet protestuese ndaj rastit të përdhunimit të vajzës në Drenas kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Të hënën, aktivistë për të drejta të grave kanë vendosur pankarta me porosi të ndryshme në objektin e Drejtorisë së Arsimit, Stacionin Policor dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj, raporton KTV.

Qytetarët protestues thonë se janë të zhgënjyer me shtyllat kryesore të shtetit, sepse sipas tyre, institucionet nuk janë duke vepruar sa u përket abuzimeve të shumë vajzave e grave në Kosovë.

Kjo është protesta e tretë me radhë e mbajtur, për të shprehur shqetësimin për abuzimin seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.

Mësuesit të vajzës dhe policit, që të dy të dyshuar se abuzuan me të, Gjykata Themelore ua ka caktuar nga 1 muaj paraburgim, derisa mjekut që ia ndërpreu shtatzëninë asaj, i është caktuar arrest shtëpiak.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme