Video

Sesioni i ri i Kuvendit nis me përplasje të fortë mes pushtetit e opozitës

Me tema të vjetra ka nisur punën Kuvendi në sesionin e ri.

Opozita ka kërkuar që të pengohet presidenti Hashim Thaçi në synimet për ndarje të Kosovës, si dhe dorëheqjen e Qeverisë.

Lideri Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se ata insistojnë që taksa ndaj Serbisë të mbetet, por Qeveria Haradinaj të rrëzohet, raporton KTV.

Në seancë u ngritën shumë shqetësime, e përplasje ngjalli tema e grevave e Ligji për Paga.

Por, përplasja më e madhe aty u bë sa i përket buxhetit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka pyetur ministrin e Financave, Bedri Hamza, se mbi çfarë baze ligjore po e shpenzon buxhetin kur ende nuk është votuar ai i 2019-ës.

Përplasja ka vazhduar kur pushteti ka tentuar që të fusë në rend dite propozim- vendimin e Qeverisë për zgjatjen e ndarjes buxhetore nga viti 2018.

Në tentimin e parë ky propozim ra, meqë nuk pati kuorum gjatë procesit të votimit.

Pushteti nuk u tërhoq nga kërkesa dhe tentoi për herë të dytë votimin e këtij propozimi që u kundërshtua ashpër nga opozita.

Sërish votimi dështoi meqë arriti t’i marrë vetëm 56 vota të deputetëve, kurse Kryesia ka vendosur që buxheti të votohet të shtunën.

Debat e përplasje u bë edhe kur u shqyrtua vendimi i Presidentit për kthimin e Ligjit për lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.

Aty pati deputetë që mbrojtën të drejtat e OJQ-ve, por edhe të tjerë që akuzuan organizatat për lidhje me krimin e organizuar.

Votimi i kësaj, por edhe i shumë projektligjeve të tjera, mbeti të bëhet kur Kuvendi të ketë kuorum.