Video

Vrasësit të gruas dhe vajzës i shtohet edhe 1 vit e 8 muaj burgim

Rreth 3 muaj pasi Pjetër Nrecaj u dënua për vrasje të dyfishtë, të gruas dhe vajzës së tij, është gjykuar për dhunë paraprake ndaj tyre.

Të martën, Pjetër Nrecaj, që është në paraburgim për vrasje, nuk u soll fare në gjykatë, derisa gjyqtarja Diana Sina, ka shpallur aktgjykimin me të cilin e dënoi atë me 1 vit e 8 muaj burgim, raporton KTV.

Aktakuza ka të bëjë me një denoncim që e ndjera Valbona Nrecaj e kishte bërë për dhunë, në maj të 2018-s.

Gjykata e njëjtë e dënoi Pjetër Nrecajn në nëntor të vitit të kaluar me 24 vjet burgim, për vrasje të gruas dhe vajzës së tij 9-vjeçare.

Pjetër Nrecaj kreu vrasje të dyfishtë, kur ua mori jetën me armë zjarri gruas Valbona Nrecaj dhe vajzës së tyre.

Pas refuzimit të Valbonës që të kthehej tek ai, Pjetër Nrecaj, me një kallashnikov AK 47, kishte shkuar te shtëpia e prindërve të së ndjerës dhe e kishte qëlluar atë me breshëri plumbash.