Video

KTV sjell të plotë epilogun e seancës për vrasjen në “Bon Vivant”

Me 21 vjet e 8 muaj burgim është dënuar Masar Gërdovci, për vrasjen e kryer 4 vjet më parë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, raporton KTV.

Gërdovci, gjithashtu, është dënuar edhe për “mbajtje dhe kontroll të paautorizuar të armës”.

Ndërsa, të akuzuarin tjetër, Sherif Krasniqi, gjykata e ka dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim, pas ri-cilësimit të veprës, nga “vrasje e rëndë” në “pjesëmarrje në rrahje”.

Gjykata, gjithashtu, ka marrë vendim që të dënuarit Masar Gërdovci, si dënim plotësues, t’ia konfiskojë armën, si mjet të kryerjes së veprës penale.

Rrahman Uka, punëtor i sigurimit, ishte vrarë në vendin e punës, derisa nuk i lejoi Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin të uleshin për të pirë kafe në lokalin “Bon Vivant”, që gjendet në zonën më të frekuentuar të kryeqytetit.

Kjo vrasje e rëndë kishte ndodhur në tetor të 2014-s.