Theresa May, me ofertë të re BE-së për kufirin irlandez

21 janar 2019 23:33

Theresa May ka vazhduar përpjekjet që t’i bindë disa deputetë brenda dhe jashtë partisë së saj për të mbështetur marrëveshjen e saj të tërheqjes nga BE-ja, duke zgjidhur shqetësimet për të ardhmen e kufirit irlandez, transmeton KTV.

Javën e kaluar, May tha se do të përqendrohet në bisedimet ndërpartiake për të arritur marrëveshje të pranuar nga Parlamenti. Por, tani ajo po kërkon të fitojë miratimin brenda partisë së saj, meqë qeveria nuk ka gjasa të fitojë përkrahje nga Laburtistët.

May u takua me kabinetin e saj të dielën, ndërsa BBC-ja shkruan se ajo dëshiron t’i tregojë BE-së se deputetët mund të mbështesin marrëveshjen, me shpresën për ta inkurajuar Brukselin të zbutë pozicionin e tij.

Përndryshe, nëse Parlamenti nuk e miraton marrëveshjen e propozuar nga Qeveria për Brexit, Britania e Madhe duhet të largohet nga blloku më 29 mars pa marrëveshje ose periudhë tranzicioni.

© KOHA

Të ngjashme